Transparenca nuk do të thotë vetëm përmbushja e obligimeve minimale që i përcakton ligji. Informacioni jo vetëm që duhet të jetë lehtësisht dhe direkt i qasshëm nga të gjithë ata që ndikohen nga vendimet dhe zbatimi i tyre, por vendimet që mirren duhet të kenë informata përcjellëse në mënyrë që çdo qytetarë të kuptoj se çfarë vendimi është marrë.
Obligimi i transparencës përmbushet në dy mënyra:
- Qytetarët kanë akses në dokumente zyrtare dhe institucionet e kanë detyrë për të përmbushur këtë të drejtë; dhe
- Detyrimi i institucioneve për të ofruar disa kategori të dhënash pa patur nevojë për kërkesë të veçantë nga ana e qytetarit.
Kushtetuta e Kosovës krijon të drejtën që çdo qytetar të ketë qasje në dokumentat publik, si në nivelin qëndror dhe në atë lokal, si dhe krijon obligimin e institucioneve që të krijojë mekanizmat për jetësimin e kësaj të drejte. Ligji për qasje në dokumente publike e rregullon më në detaje këtë materie - institucionet janë të obliguara që brenda 7 ditëve të kthejnë përgjigje në kërkesat për qasje në dokumente zyrtare. Në këtë rast, Komunat janë obliguara të caktojnë zyrtarin përgjegjës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike. Ligji për Vetqeverisjen Lokale obligon kuvendet komunale që të krijojnë rregullore të veçanta për promovimin e transparencës në ekzekutivin, legjislativin dhe administratën e komunave.